Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dhënë një përgjigje se si do të veprohet me shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, e të cilët kanë pasaportë të Kosovës dhe mund të votojnë në të dyja shtetet. Kjo pasi në të njëjtën ditë, më 17 tetor, qytetarët e të dyja vendeve do t’u drejtohen kutive të votimit.
Kjo do të thotë se nëse një votues nga Kosova ka votuar në Maqedoninë e Veriut, do të ishte problematike që i njëjti të mund të votojë edhe në Kosovë, pasi në gishtin e tij do të mbeteshin gjurmët e sprejit.
Kjo temë është diskutuar dhe ka ngjallur debate në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtarët e këtij institucioni kanë kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së një rekomandim se si do të veprohet në këto raste.
Shefi i sekretarit në KQZ, Burim Ahmetaj, ka thënë se kjo gjë ka qenë kërkesë e banorëve të pikave kufitare.
“Nga vizitat që kemi pasur në terren, jemi njoftuar me problematikën e qytetarëve që kanë dy shtetësi. Kjo problematike më shumë është në Kaçanik dhe Han të Elezit, ku e dimë që të njëjtën ditë mbahen zgjedhjet edhe në Maqedoni, e kërkesa e tyre ishte nëse mund te votojnë në dy shtetet”, tha Ahmetaj.
Ndërkaq, për personat që janë të infektuar me COVID-19, bëri të ditur se do t’u mundësohet të votojnë përmes ekipeve mobile./Insajderi.com