Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes emailit, njofton Insajderi.
Në vendimin e KQZ-së, thuhet se përmes një emaili, mund të aplikojë rrethi i ngushtë familjar që ka mbiemër të njëjtë.
Verifikimi i procesit të aplikimit do bëhet përmes kontaktimit me telefon. Në pikën katër, KQZ-ja njofton se në rast se aplikuesi nuk përgjigjet në thirrje, aplikimi i tij do refuzohet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka specifikuar ndonjë orë të caktuar se kur do telefonohen këta aplikues nga jashtë Kosovës. Duke ditur se ka shumë votues kosovarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës, KQZ-ja nuk e ka sqaruar se kur do telefonohen ata, derisa dihet që ora lokale dallon nga shteti në shtet.
“Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Por ky vendim i KQZ nuk i ka pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë thënë që kjo masë e dekurajonë mërgatën që të kontribuojnë në zgjedhjet në Kosovë.
Albuklena e Haxhiu, nga ky subjekt ka deklaruar se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vend se të inkurajojë mërgatën për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke ia lehtësuar procedurat, ai bën të kundërtën! Shton kritere jokushtetuese dhe të paligjshme”.
Tutje Haxhiu ka shtuar se e drejta e votës nuk duhet të pamundësohet vetëm pse dikush nuk e hap telefonin./Insajderi.com