Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë buxhet shtesë në Qeverinë e Kosovës, pasi një pjesë e buxhetit të planifikuar për zgjedhjet lokale u shpenzua për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën në shkurt, transmeton Insajderi.
Ndonëse akoma nuk është shpallur data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se ky institucion ka filluar me planifikimin e detyrave.
“Natyrisht se fillimi i përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në këtë rast zbatimi i planit operacional fillon pasi të kemi shpalljen e datës për mbajtjen e zgjedhjeve nga Presidentja e Kosovës, kështu që jemi në pritje dhe pastaj KQZ të fillojë më zbatimin e të gjitha detyrave që dalin nga ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale”, pohon Elezi për EO.
Sipas ligjit për buxhetin e Kosovës të vitit 2021, në programin e zgjedhjeve kanë qenë të ndara tetë milionë euro.
Zgjedhjet lokale, përmes së cilave do të zgjedhën kryetarët në 38 komuna dhe këshilltarët në 38 kuvende komunale, pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti./Insajderi.com