KQZ mblidhet sot për zgjedhjet lokale

KQZ mblidhet sot për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me veprimet për zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar të mbahen më datë 17 tetor të këtij viti.

Mbledhja e KQZ-së pritet të fillojë nga ora 13:30, ndërsa do të jetë e para e këtij komisioni me kryetar të ri, Kreshnik Radoniqin, pas shkarkimit të Valdete Dakës nga kjo detyrë.

Në mbledhjen e sotme ndër të tjera do të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për Caktimin Lartësisë se Shpenzimeve te Fushatës për Zgjedhjet Lokale 2021.

Pika të tjera të rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për regjistrimin e partisë politike Partia Demokratike e Diasporës dhe shqyrtimi i kërkesës së AKR-së për shtyrje te afatit për mbajtje te Kuvendit zgjedhor.

KQZ-ja parashihet që në këtë mbledhje të bëjë edhe shqyrtimin dhe miratimin e plotësim/ndryshimit të Rregullës Nr.08/2013 – Certifikimi i Subjekteve Politike dhe i Kandidatëve të tyre dhe shqyrtimin dhe miratimin e Planit Operacional për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor 2021. /Insajderi.com