Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që fushata për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor, të mbetet 30 ditë.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, para fillimit të mbledhjes të së martës.
Me këtë rast, u ka bërë thirrje subjekteve politike të certifikuara që t’i respektojnë masat për dhe kontrollin dhe parandalimin e COVID-19, gjatë fushatës zgjedhore.
“Siç e thash edhe dje periudha e fushatës zgjedhore për këto zgjedhje është 30 ditë dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet, andaj i bëj thirrje subjekteve politike që gjatë kësaj periudhe t’i mbahen rregullave të KQZ-së”, ka thënë Radoniqi.
Partitë politike opozitare në vend kanë kërkuar shkurtim të fushatës zgjedhore për shkak të situatës me pandeminë. I pari që ka kërkuar një gjë të tillë, duke iu bërë thirrje partive të tjera për “unitet politik” ishte lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai kishte propozuar që fushata të shkurtohet nga një muaj në 10 ditë. Këtë ide e kanë përkrahur partitë e tjera opozitare, por nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar shtyrje të zgjedhjeve.
Për këtë arsye, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të hënën ka mbajtur takim konsultativ me përfaqësues të partive pjesëmarrëse në zgjedhje dhe ka njoftuar se zgjedhjet s’mund të shtyhen pasi s’ka konsensus./Insajderi.com