Komisioni Qendror Zgjedhor është në pritje të përfundimit të ankesave në Gjykatën Supreme, për të vazhduar me tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili duke folur rreth vendimit të djeshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parshtresa, tha se në të ka këshilla juridike ku iu tregohet palëve që kanë të drejtë ankese në Supreme brenda 24 orëve.
Elezi pohoi se KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.
“Po presim të përfundojë çështja e ankesave edhe në Gjykatën Supreme sepse pastaj KQZ mund të bëjë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve. Pasi të kemi miratuar fletëvotimin menjëherë në ditën pasuese, 2 shkurti fillon me periudhën tjetër të votimit përmes postës”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Elezi tha se periudha e aplimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, aktualisht është përmbyllur dhe tani janë në fazën e shqyrtimit dhe verifikimit./Insajderi.com