KQZ: Fushata zgjedhore fillon me tre dhe përfundon me 12 shkurt

KQZ: Fushata zgjedhore fillon me tre dhe përfundon me 12 shkurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot (e enjte) ka njoftuar se certifikimi i partive politike do të nisë të premten dhe do të zgjasë deri më 21 janar, njofton Insajderi.

“Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 janar dhe përfundon më 16 janar 2021. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 1 shkurt 2021”, është thënë në mbledhjen e KQZ-së ku u diskutua për planin operacional për mbajtjen e zgjedhjeve.

Tutje, u bë e ditur se fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 shkurt dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Periudha e votimit me postë fillon më 2 shkurt dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se janë të obliguar nga dita e sotme të fillojnë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

“Shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve do të kemi reformë zgjedhore dhe do të adresohen të gjitha çështjet. Ky është plani operacional dhe këto afate do të jenë të qasshme në faqen e KQZ-së posa të aprovohen në këtë mbledhje”, ka thënë ndër të tjera Daka./Insajderi.com