Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formave përfundimtare të rezultateve për kandidatët për deputetë nga secila komunë e Kosovës.
“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërinë në procesin zgjedhor, KQZ-ja ka filluar të publikojë kopjet e skanuara të Formularëve të Rezultateve Përfundimtare (FPR) dhe Formularëve të Rezultateve të Kandidatëve (FRK)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ky institucion po ashtu njofton se kjo nuk është një shpallje e Rezultateve Përfundimtare, por janë vetëm formularë të cilët janë plotësuar në Vendvotim, më 11 qershor.
“Rezultatet Përfundimtare dhe Certifikimi i tyre bëhet pas rinumërimit, numërimit të votave me kusht; votave përmes postës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”.
Deri më tani janë publikuar formularët nga disa komuna, derisa nga të gjitha Vendvotimet pritet të përmbyllet brenda ditës.