KQZ: Rregulla të njëjta votimi edhe për votuesit nga Serbia

KQZ: Rregulla të njëjta votimi edhe për votuesit nga Serbia

Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit dhe kanë të drejtë vote, nga 13 deri më 21 janar do të mund të aplikojnë përmes postës për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Kjo vlen edhe për shtetasit e Kosovës të etnisë serbe të cilët jetojnë jashtë, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur që të ashtuquajturat pako të votimit duhet të arrijnë në kutinë postare të KQZ-së deri më 12 shkurt.

“Pra, duke filluar nga 2 shkurti deri më 12 shkurt është periudha e votimit përmes postës dhe kjo vlen për të gjithë votuesit, të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, theksoi Elezi për REL.

Por, për qytetarët serbë që jetojnë në Serbi dhe që kanë të drejtë vote në Kosovë, mbetet sfidë fakti sesi do t’i dërgojnë aplikimet e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit, si dhe dërgimi i votave të tyre.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, një numër i caktuar i votave që kishin ardhur nga Serbia në Kosovë, ishin shpallur të pavlefshme, sepse nuk ishin arritur përmes rrugës postare, ndërkaq që disa prej tyre kishin qenë edhe objekt i kontrollimit.

Posta e Kosovës dhe Posta e Serbisë nuk kanë ndonjë marrëveshje për qarkullimin e dërgesave.

Këtë e konfirmon ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se megjithatë, qytetarët serbë të Kosovës, që jetojnë në Serbi dhe që kanë të drejtën e votës në Kosovë, mund t’i dërgojnë votat e tyre, në të njëjtën mënyrë sikurse edhe në zgedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, përmes tranzitit në Postën e Maqedonisë së Veriut. Më këtë të fundit, Posta e Kosovës ka marrëveshje, e cila është ende në fuqi.

“Meqenëse edhe Ligji i Republikës së Kosovës për zgjedhje siguron që votimi mund të bëhet përmes postës, qytetarët e Kosovës, që janë shtetas me të drejtë vote në Kosovë dhe që jetojnë në Republikën e Serbisë, mund të përdorin mënyrën e njëjtë sikurse që e kanë përdorur qytetarët në vitin 2019 dhe të votojnë në mënyrë të rregullt. Ne i kemi tranzitet në Postën e Maqedonisë së Veriut. Në qoftë se i dërgojnë edhe përmes Postës në Malin e Zi, ne e kemi marrëveshjen edhe me ta për trafikun ndërkombëtar dhe ato pastaj pranohen në mënyrë të rregullt”, ka thënë Smakiqi. /Insajderi.com