KQZ shpenzoi më pak para sesa i ishin deponuar për zgjedhjet e 6 tetorit

KQZ shpenzoi më pak para sesa i ishin deponuar për zgjedhjet e 6 tetorit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka raportuar për zgjedhejt e 6 tetorit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren  e Kuvendit.

Dakaj tha se nga 5.6 milionë euro sa janë ndarë për zgjedhjet e 6 tetorit, nuk janë shpenzuar të gjitha dhe për këtë pjesa e mbetur është kthyer në buxhetin e Kosovës.

“Gjatë zgjedhjeve në veri ka pasur bashkëpunimin me OSBE-në si dhe ka kërkuar 400 mijë euro, por nuk janë harxhuar të gjitha sepse nuk ka pasur raund të dytë. Për përgatitjen e zgjedhjeve të 6 tetorit KQZ-ja ka kërkuar mbi 5.6 milionë, por edhe të gjitha këto nuk janë harxhuar”.

Dakaj ka folur edhe rreth votimit jashtë vendit.

“Votim jashtë vendit ka me mbet vështirë e menaxhueshme dhe lehtë i prekshme dhe lehtë të keqpërdoret për shkak të ligjit dhe ne si KQZ nuk mundemi me ndryshuar asgjë dhe ne vetëm jemi munduar t’i lehtësojmë bashkatdhetarëve tanë. Ne jemi të pafuqishëm sepse kërkohen ndryshime ligjore”.

Daka më tutje ka thënë se shqetësues është edhe numri i madh i votave të pavlefshme si dhe votimi me asistencë.

“Këtë vit kanë pasur një numër më të vogël të votave të pavlefshme, kemi edhe shumë që janë dëmtuar qëllimisht, po ashtu kemi edhe ku është votuar kandidati, por jo partia se që nga viti 2009 ne votojmë njësoj dhe ne kemi shpjeguar mjaftueshëm, por na prapë kemi një numër të madh”.

“Ndoshta është edhe mosinformimi po ashtu kemi pasur edhe një numër të madh të votuesve të ri po ashtu për neve është më shqetësues votimi me asistencë dhe këto kërkojmë ndryshime ligjore. Është e nevojshme reforma zgjedhore”, tha ajo.

Ndërsa, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj, kërkoi të dijë nga KQZ-ja se a mund të ndryshojë KQZ mënyrën e votimit nga jashtë në mënyrë që të mos manipulohet.

“Problem po mbetet edhe mënyra e votimit jashtë vendit, ku po ka gjithmonë edhe dyshime për manipulime dhe a ka punuar KQZ-ja që të gjet një model më të mirë qe ky proces të mos manipulohet dhe ti heq të gjitha manipulimet, tha ai.

Në Kosovë është kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të organizohen zgjedhje të reja shkak i rrëzimit të Qeverisë.  VV vlerëson se duhet të shpallen zgjedhje të reja, përkundër se të fundit u mbajtën më 6 tetor. /Insajderi.com/