Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten në orën 11:00 pritet të shpallë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, njofton Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
Mbrëmjen e së mërkurës është përmbyllur numërimi i votave nga diaspora, e me këtë është përmbyllur procesi i numërimit të votave të përgjithshme të këtyre zgjedhjeve.
Me shpalljen e rezultateve përfundimtare, hapet rruga për partitë dhe kandidatët që të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatet.
Ankesat mund të paraqiten brenda 24 orësh nga momenti i shpalljes së rezultateve nga ana e KQZ-së dhe PZAP-ja duhet të marrë vendim brenda tri ditësh.
Nëse palët janë të pakënaqura edhe me vendimet e PZAP-së, atëherë të njëjtat mund t’i drejtohen brenda 24 orëve Prokurorisë dhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka 3triditë kohë për të vendosur për ankesat.
Vetëm pas kësaj, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Duke marrë parasysh të gjitha votat e numëruara, fituesi i këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosja, ka marrë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa e dyta në zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës, mori 19 mandate në Kuvend. Pas PDK-së, vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 mandate, Lista Serbe me 10 mandate, Komunitetet joserbe me 10 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me tetë mandate./Insajderi.com