KQZ: Të gjitha materiale zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim

KQZ: Të gjitha materiale zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim të Kosovës pavarësisht problemeve me komunikacion si pasojë e motit të ligë, njofton Insajderi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media të KQZ-së për sot ka bërë të ditur se vendvotimet janë hapur në orarin e paraparë në tërë territorin e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Ai ka bërë të ditur se numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Elezi ka thënë se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues./Insajderi.com