KQZ: Votat për të pacertifikuarit nuk do të numërohen

KQZ: Votat për të pacertifikuarit nuk do të numërohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është sqaruar lidhur me fletëvotimet e vlefshme dhe të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për Gazetën Online Insajderi se personat të cilët zgjedhin më shumë se pesë kandidatë nga partitë politike, do t’i shpallet e vlefshme vetëm vota për partinë, ndërkaq fletëvotimet në të cilat shënohet edhe vota për kandidatët të cilët nuk janë të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, do të shpallen të vlefshme vetëm vota për kandidatët e certifikuar.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i ndryshuar në vitin 2010, ka qartësuar mënyrën e votimit. Sipas nenit 110, paragrafi 4, votuesi pajiset me një fletëvotim në zgjedhje dhe a). e shënjon atë me votën për një subjekt politik, dhe b) mund që po ashtu të shënojë atë me vota për deri në 5 kandidatë nga lista e subjektit politik. Ndërsa, në paragrafin 5 theksohet se se ‘nëse një fletëvotim shënjohet për më shumë se 5 kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota e hedhur për subjektin politik’. Pra, votuesi duhet të zgjedhë vetëm 1 subjekt politik dhe më së shumti 5 kandidatë nga ai subjekt politik”, ka thënë Elezi.

“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar. Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, është shprehur tutje ai. /Insajderi.com