Krasniqi: Adem Demaçi, idealisti e vizionari

Krasniqi: Adem Demaçi, idealisti e vizionari

Jakup Kransiqi, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ish-kreu i Kuvendit, në një shkrim të tij mbi jetën e tashmë të ndjerit Adem Demaçi, e ka quajtur idealit e vizionar.

Adem Demaçi, idealisti e vizionari! Kështu nisë shkrimin për të, për të cilin thotë se s’mund ta krahasojë me asnjë tjetër personalitet politik apo letrar, transmeton Koha.net.

Ai, thotë Krasniqi, padyshim që ishte një lloj i veçantë i njeriut në kontinentin e vjetër.

Letra e plotë e Jakup Krasniqit për Adem Demaçin:

ADEM DEMAÇI në tërë shekullin e jetës së tij ishte një idealist po, i klasit të parë! Vizionar largpamës i pashoq, besnik i idealeve dhe i vizionit politik për çlirimin e bashkimin e kombit të tij, KOMBIT SHQIPTAR! Sepse KOMBI SHQIPTAR për shumëçka kurrë nuk ka qenë më mirë e më afër realizimit të veprës jetësore të Adem Demaçit dhe Ademit legjendar, Adem Jasharit: ÇLIRIMI E BASHKIMI I SHQIPTARËVE! Dhe këtë mund ta realizojnë vetëm njerëzit e organizuar pikërisht siç qe jeta dhe vizioni idealist tashmë në masë të madhe i realizuar!

ADEM DEMAÇI nuk ishte as iluzionist, as rebel e as mund të krahasohet me ndonjë personalitet tjetër politik a letrar. Çmimet ndërkombëtare janë rezultat i jetës e veprës se Adem Demaçit. Ai ishte dhe është vetëm Adem Demaçi, me ideal të qartë e vizion largpamës për kombin që gjakonte Lirinë. Ai, padyshim që ishte një lloj i veçantë i njeriut në kontinentin e vjetër. Rebelizmi e iluzionizmi nuk gjendeshin në personalitetin e Adem Demaçit. Rebelizmat e iluzionizmat flenë diku tjetër!

IDEALI i tij ka mbajtur gjallë për vite flakadanin e çlirimit e të bashkimit dhe e ka filluar realizimin e Lirisë e të Bashkimit të Kombit. Realizimi i asaj vepre u përket brezave të të njëjtit ideal! Secili brez duhet të ecë pas idealeve fisnike të kombit të vet! Shëmbëlltyra për këtë janë Adem Jashari dhe Adem Demaçi! Shëmbëlltyra më të mira koha jonë dhe ajo që duket në horizont vështirë se do të gjenden.

VIZIONI i tij politik e kërkon kohën e më shumë se të një brezi! Ai këtë e kishte të qartë në të gjitha kohët e shekullit të jetës së tij!

ADEM DEMAÇI fare nuk ishte rebel. Rebelizmi ishte më shumë se i huaj për Bacë Ademin. Ai ishte njeri më me integritet dhe atë e tregonte sa herë që e kërkonte koha. Ai integritetin e tij e ka treguar gjatë gjithë jetës së tij, deri në rrahjen e fundit të zemrës së tij të madhe dhe aq të veçantë! Zemrën e tij të madhe nuk e pamë vetëm gjatë 28 viteve të burgut, por e pamë edhe pas burgut si në Prishtinë po ashtu edhe në Beograd.

ADEM DEMAÇI ishte i çliruar nga të gjitha format e makutërisë politike për pushtet personal! Ai u dëshmua si luftëtar i pakompromis i Lirisë dhe i Pavarësisë që e kemi sot! Dëshmi për këtë është e gjithë jeta dhe vepra e tij!

Ideali e vizioni i tij u mbesin brezave amanet për vazhdimin dhe jetësimin e tyre sa më të dinjitetshëm!

LAVDI E PËRJETSHME JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT!