Kryetari i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas zgjedhjes së tij në krye të kësaj partie në Konventën e 10-të zgjedhore të mbajtur të shtunën e 3 korrikut, njofton Insajderi.
Krasniqi ka falënderuar delegatët e kësaj konvente të partisë për besimin që i dhanë për dy vitet e ardhshme, duke shtuar se do të punojë që PDK të kthehet si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi tha se PDK po e nisë një kapitull të ri, “duke respektuar pafundësisht të kaluarën, të tashmen dhe kontributin e secilit”.
“PDK është parti e njerëzve të mirë të Kosovës – e çlirimtarëve e patriotëve, intelektualëve e vizionarëve, mësuesve e profesorëve, mjekëve e infermierëve, artistëve e sportistëve, ndërmarrësve e mërgimtarëve, fermerëve e punëtorëve, grave e burrave që synojnë një jetë të dinjitetshme dhe një shtet që i bën krenarë. Do të bëj gjithçka që duhet – që PDK të rikthehet aty ku i takon, si partia më e fuqishme dhe me vizionin më të qartë për vendin. Si adresa politike kryesore për qytetarët tanë”, ka shkruar më tej kryetari i sapozgjedhur i PDK-së.
Krasniqit iu besua të marrë timonin e drejtimit të kësaj partie nga gjithsej 469 delegatë, kurse shtatë të tjerë kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar. /Insajderi.com