Krasniqi e quan gomar kryediplomatin palestinez që Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë

Krasniqi e quan gomar kryediplomatin palestinez që Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka takuar në Beograd shefin e diplomacisë së autoritetit palestinez, Riyad al-Maliki, i cili po qëndron për vizitë në Serbi. Me këtë rast ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Daçiq ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që palestinezët i kanë dhënë Serbisë në organizatat ndërkombëtare, duke mos votuar për anëtarësimin e Kosovës.

E për këtë gjë ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakupt Krasniqi, i cili ka thënë se një kriminel nga Serbia e paska falënderuar një gomar nga Palestina, pse ky i fundit e ka mbështetur politikën e krimit e të gjenocidit që Serbia ka ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës, përcjell Insajderi.

“Ky idiotizëm i diplomatit palestinez më bëri që të me vije keq pse për dekada e kam mbështetur luftën e palestinezëve për liri e pavarësi.

Nejse, koha po tregon se ai ambient ka shumë idiotizëm e pak urti?!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në njoftim thuhet se shefi i diplomacisë palestineze, Riyad Al Maliki, ka shfaqur mbështetje për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se ata (palestinezët) nuk mund të pranojnë asnjë pozicion që nuk është në përputhje me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.

Daçiq dhe Al Maliki nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.

Daçiç, ka kujtuar se ish-Jugosllavia ishte ndër të parat “që njohu shtetin palestinez”, madje edhe para disa vendeve arabe.

Më 2012, palestinezët kanë arritur të fitojnë statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e patën kundërshtuar rezolutën.

Palestinezët duan shtet të pavarur në Bregun Perëndimor dhe Gaza, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Izraeli kundërshton./ Insajderi.com