Krasniqi: Kemi mungesë të barnave për pacientët me Coronavirus

Krasniqi: Kemi mungesë të barnave për pacientët me Coronavirus

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka njoftuar se ka vështirësi në furnizim me barna të cilat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19, njofton Insajderi.

Përmes një konference për media, Krasniqi tha se kanë mungesë të Fraxiparinës, me ç’rast tha se kanë kontratë për furnizim me të, por që është shpenzuar sasia.

“Ne kemi kontratë valide për të na furnizuar me Fraxiparinë. Është shpenzuar një sasi që ka qenë edhe e vitit të ardhshëm. Ka vështirësi në furnizim”, tha Krasniqi.

Tutje, ai tha se brenda dy ditëve presin furnizim.

Krasniqi përmendi edhe ngarkimin e spitaleve rajonale e  QKUK-në, derisa tha se momentalisht 785 pacientë janë të shtrirë në këto institucione.

“Tashmë tri javë numri i të shtrirëve sillet rreth 800. Edhe më tutje spitalet tona janë të ngarkuara. 44 pacientë  janë në gjendje të rëndë, 8 janë të intubuar dhe 36 janë në ventilim mekanik joinvaziv”, shtoi ai./Insajderi.com