Krasniqi kërkon raport të detajuar për arrestimin e turqve

Krasniqi kërkon raport të detajuar për arrestimin e turqve

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet debat parlamentar lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë, ka vlerësuar se në vend dhe në institucione është shkaktuar një paqartësi që ka sjellur shumë shqetësime tek qytetarët e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ‘depërtimin e 6 shtetasve turq, që thuhet se janë pjesë e lëvizjes gyleniste’, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se për këtë rast duhet qartësi e plotë, për të sqaruar të gjitha rrethanat.

“Unë besoj se të gjithë mund të pajtohemi se sot, më shumë se çfarëdo tjetër, ajo që na duhet është qartësia në lidhje me veprimet që kanë ndodhur. Dhe kur flas për qartësi, mendoj në atë që shkon përtej informatave dhe copëzave të informative që janë servuar deri tash në publik”, tha ai, teksa ka shtuar se asnjëri nuk mund të jemi indiferent ndaj mënyrës se si është zhvilluar aksioni.

Krasniqi theksoi se Kosova dhe Kushtetuta e saj, në thelbin e vet ka përcaktuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe dinjitetit të njerëzve dhe në këtë drejtim, sipas tij, cenimi i të njëjtave nuk mund të kaloj pa një përgjegjësi të adresuar saktësisht. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se Qeveria duhet të njoftojë Kuvendin për gjithë aksionin, për t’u siguruar nëse ka pasur shkelje të ligjeve dhe të drejtave të njeriut në krejt këtë aksion.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, i shprehur edhe në ditët e kaluara, është se për ne shteti ligjor është mbi të gjitha dhe se nuk mbështesim veprime arbitrare që nuk janë në pajtim me ligjin. Të gjithë banorët e vendit tonë duhet të kenë të drejta dhe liri të garantuara, duke përfshirë edhe procese juridike që ua mundësojnë atyre mbrojtjen dhe përfaqësimin e drejtë. Në këtë kuadër, kërkojmë nga Qeveria që ta njoftojë Kuvendin se a janë respektuar procedurat legale dhe të drejtat e shtetasve turq të deportuar në plotni? Nëse kjo gjë nuk ka ndodhur, duam të dijmë se cilat janë masat që do të merren nga institucionet përgjegjëse”, ka thënë ai.