Krasniqi kritikon Qeverinë Kurti: Ka neglizhuar totalisht vaksinimin kundër COVID-19

Krasniqi kritikon Qeverinë Kurti: Ka neglizhuar totalisht vaksinimin kundër COVID-19

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Mmeli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për “dështim” në menaxhimin e pandemisë COVID-19, duke thënë “gabimi më i madh është bërë në mënyrën e sigurimit të vaksinave”.

Sipas tij, qeveria ka dështuar në administrimin e procesit të vaksinimit “duke mos ofruar vaksinim mobil dhe duke mos bërë fushatë masive të vetëdijesimit për rëndësinë e vaksinimit si mbrojtja e vetme dhe e paalternativë përballë Covid-19”.

Më tej, i pari i PDK-së ritheksuar qëndrimin e partisë për krijimin e një fronti të përbashkët “për t’u ballafaquar me Coronavirusin”.

Ai ka kërkuar edhe një herë që deputetët të kthehen nga pushimi në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin krahas nevojave të sektorit shëndetësor.

“Është e qartë se mungesa e vaksinave si top prioritet për ballafaqim me Covid-19 është një problem që kërkon zgjidhje emergjente. Organizimi funksional, non-stop dhe mobil i procesit të vaksinimit, kërkon veprim të menjëhershme. Furnizimi me medikamente për të infektuarit, në çdo qendër trajtimi, kërkon veprim të menjëhershëm. Mbështetja meritore e profesionistëve shëndetësorë kërkon vendimmarrje serioze, të qëndrueshme dhe të menjëhershme”, është shprehur Krasniqi në konferencën për media.

Ai ka ko,entuar edhe deklaratën e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili të enjten tha se asgjësimi i mbi 100 mijë vaksinave është bërë për shkak të “gënjeshtrave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu”.

Sipas tij, kjo është “përpjekje për t’u shfajësuar”.

“Po ju them, zotëri dhe zonja të Qeverisë Kurti, keni dështuar deri tani. Deputeti Haxhiu ka kërkuar disa herë qasje në kontratën e qeverisë me Pfizer, por nuk i është dhënë qasja, madje ajo vazhdon të mbahet e fshehur edhe tani.”./Insajderi.com