Drejtuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit me marrëveshjen e Brukselit ia ka lejuar Serbisë “ndërhyrjen në Kosovë”.
“Fakti që sot qeveria e ka legjitimuar autoritetin e Republikës së Serbisë për të lëshuar targa për qytete që gjenden në Republikën e Kosovës është jashtëzakonisht shqetësues dhe është absolutisht ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës”
“Legjitimimi është problem, ne e dimë që ato tabela kanë qarkulluar, por nuk kanë qenë të përligjura nga institucionet e Kosovës as për gjashtë orë e lëre më gjashtë muaj”, ka thënë Krasniqi në Rubikon.
Sipas Krasniqit, një gjë e tillë, Serbisë i është lejuar përmes marrëveshjes së Brukselit.
Ai e kritikoi atë marrëveshje, duke e cilësuar si “hap mbrapa”.
“Sot rrezikojmë të kthehemi prapa dhe dialogu nuk e ka qëllimin të bëjë hapa prapa, por përpara, ky është për mu problemi kryesor”.
“Nëse këta janë të pazot, të padijshëm, të paaftë t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore të Kosovës në procesin e dialogut dhe nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje që janë në favor të qytetarëve të Kosovës atëherë ne duhet t’i themi gjërat shtruar”, deklaroi lideri opozitar.
Pos marrëveshjes së Brukselit, i pari i PDK-së foli edhe për projektin e gazit.
Ai pos tjerash foli edhe për zgjedhjet lokale, ku pohoi se në vitin 2017 në raundin e parë arritën të dalin të parët në 11 komuna.
“Pastaj të gjithë u bashkuan kundër PDK-së”, pohoi Memli Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës qeverisë në pesë komuna. Ndërsa, në zgjedhjet e 14 shkurtit doli si partia e dytë – me një diferencë të thellë larg Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.com