Krasniqi-Kurtit: Lexoje me kujdes rezultatin e zgjedhjeve

Krasniqi-Kurtit: Lexoje me kujdes rezultatin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së enjtes, me thirrjen që “ta lexojë drejt rezultatin e zgjedhjeve lokale”.

“Kuptojeni këtë ftesë drejt për t’u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij sepse qytetari në këto zgjedhje ka folur shumë qartë dhe ka dhënë mesazh se ky ritëm i juaji është i pamjaftueshëm”, është shprehur Krasniqi para deputetëve derisa ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale.

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar tetë komuna, ndërsa partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje vetëm katër.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi flet para deputetëve

Me këtë rast, lideri i PDK-së falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke thënë se kanë treguar kulturë të lartë demokratike në zgjedhjet e fundit.

Krasniqi ka shtuar se pushteti në Kosovë nuk mund të ushtrohet mbi qytetarët, janë ata që ushtrojnë pushtet mbi qeveritë si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

“Kush më shumë e kush më pak, të gjithë kemi fituar pushtet politik në komuna, por fituesi vendimtar është qytetari. Pa dashur të komentoj mënyrën sesi e lexojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve unë dua të ftoj kryeministrin që të bëjë leximin e duhur të mesazhit të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i mbështesë të gjitha komunat njësoj.

“Andaj i nderuar kryeministër dhe ju pjesëtarë të mazhorancës, qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por qeverisja qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë dhe pa dallim”./Insajderi.com