Krasniqi: Lidershipi i Kadri Veselit në PDK është i pakontestueshëm

Krasniqi: Lidershipi i Kadri Veselit në PDK është i pakontestueshëm

Partia Demokratike e Kosovës nuk pritet të ketë ndryshime tek lideri i partisë, pavarësisht se në zgjedhjet e 11 qershorit kishte një rënie të madhe votash në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Pavarësisht rezultateve, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se lidershipi i Veselit në PDK është i pa kontestueshëm.

“Lidershipi i Kadri Veselit është i pakontestueshëm”, ka thënë Krasniqi duke mos preferuar të flas fare për numrin e deputetëve që do të ketë partia e tij në kuvend.

Krasniqi megjithatë thotë se PDK e ka kuptuar mesazhin e votuesve tradicionalë dhe se kjo parti do të i bëjë analizat për reformimin e partisë.

“Si PDK ne e kemi kuptuar drejt mesazhin e votuesve tanë tradicionalë dhe të tjerëve dhe në këtë kuadër do t’i bëjmë analizat e nevojshme për vazhdimin e rrugës së reformave të nevojshme për fazën e ardhshme, qoftë në institucionet e vendit, qoftë brenda strukturave partiake”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Zëri”.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershori me kryetar Veselin në koalicion së bashku me AAK-në e Nismën  ka dal e para me 247 mijë e 159 vota apo 33.92 për qind, ndërsa në zgjedhjet e kaluara PDK me kryetar Hashim Thaçin, pa Nismën dhe AAK-në kishte fituar 196 mijë e 207 vota apo 34.3 për qind të votave.

Përveç rënieve të votave PDK në këto zgjedhje për herë të parë që nga themelimi i saj kishte dal me kandidat për kryeministër nga një subjekt tjetër, duke e kandiduar për kryeministër të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn.