Krasniqi: Marrim pjesë në seancën e nesërme

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy muaj qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme në vend, as pas kësaj periudhe ende nuk po mund të formohen institucionet e vendit. Megjithatë, pritet që nesër në përpjekjen e gjashtë të seancës së radhës të hapen rrugë për konstituimin e Kuvendit. Koalicioni PAN thotë se do të jenë në seancën e nesërme.

Krasniqi: Marrim pjesë në seancën e nesërme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka konfirmuar për Gazetën Express se koalicioni PAN nuk do të mungojë në seancën e së enjtes.

“Po, do të marrim pjesë” u shpreh zëvendësi i Kadri Veselit, derisa nuk ka dhënë detaje nëse të nesërmen edhe do të nxjerrin në votim kandidatin për kryeparlamentar.

Ndërkaq sot, ishte vetë kandidati për kryeministër i këtij koalicioni Ramush Haradinaj ai që foli për një qeveri gjithëpërfshirëse, ashtu siç edhe kishte kërkuar në vazhdimësi Behgjet Pacolli i AKR-së.

Haradinaj në një konferencë për media ku prezantoi kandidatin për kryetar të Ferizajt ka thënë se nuk ndihet mirë për faktin që po ndodhin këto shtyrje dhe se do të përpiqet që nesër të jenë pjesëmarrës në seancë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe nesër të mos jenë gati për seancë.

“Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos jemi gati për të filluar”, tha Haradinaj.

Nga ana tjetër kryesuesi i Kuvendit Adem Mikullovci është zotuar se kjo do të jetë seanca e fundit nëse PAN nesër nuk merr pjesë.

“Nëse koalicioni PAN nuk e dërgon nesër në Kuvend emrin e kandidatit për kryeparlamentar, më nuk do të thërrasë seancë”, është shprehur Mikullovci për Express të mërkurën.

Kujtojmë se brenda AKR-së ka mospajtime në deklarata e tyre nëse të njëjtët do të bëjnë koalicion me PAN-in.

Agim Bahtiri ka deklaruar se është marrë vendim që AKR të mos bëhet pjesë e PAN-it, përderisa këtë e ka hedhur poshtë Islam Pacolli, deputet i po kësaj partie. Ndërkaq, edhe zyrtarisht mbajtjen e seancës së nesërme e ka njoftuar edhe Kuvendi i Kosovës.