Krasniqi: Mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 janë me oksigjen

Krasniqi: Mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 janë me oksigjen

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja nëpër spitale është e rënduar, për shkak të numrit të madh të pacientëve që janë të shtrirë me COVID-19, transmeton Insajderi.

Ai ka thënë se mbi 80 për qind të pacientëve të shtrirë janë në oksigjenoterapi.

“Sa i përket situatës, është e rënduar në kuptim të numrit të madh të pacientëve që i kemi të shtrirë dhe po ashtu të gjendjes së rënduar të tyre. Pothuajse, mbi 80 për qind e të hospitalizuarve po kërkojnë oksigjenoterapi dhe janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme”, është shprehur Krasniqi për REL.

Ndërsa, sa i përket medikamenteve, ai ka thënë se tashmë e kanë stabilizuar furnizimin në masë të madhe, e në veçanti me ato që janë bazike dhe që janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik.

“Pothuajse të gjitha barnat në përjashtim të Remdesivirit dhe të një apo dy antibiotikëve, të tjerat janë të disponueshme në klinikat dhe spitalet e QKUK-së. Keni parasysh se këta pacientë, në veçanti të moshuarit, përveç COVID-19, kanë edhe sëmundje tjera dhe marrin edhe terapi tjetër dhe sigurisht që ato që nuk janë në lista kanë nevojë që t’i blejnë.

Por, barnat të cilat përdoren për mjekimin e COVID-19, i kemi të siguruara, përveç atyre përjashtimeve që ju thash”, ka deklaruar Krasniqi./Insajderi.com