
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Frashër Krasniqi i cili dje në fjalimin e parë si deputet kishte ngre një sërë akuzash ndaj kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me kriminelë, ndërsa sot përmes një statusi në Facebook tha se ai u ishte drejtuar milionerëve të koalicionit PAN.
Sipas tij, ata me qëllimi i ndezën shoqatat e veteranëve dhe militantët, “në mënyrë që të fshehin veten dhe krimet ekonomike të tyre prapa UÇK-së”.
“Ata po ashtu e dinë mirë se:
– Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së jetojnë në kushte të rënda dhe s’flet kush për ta, sepse DISA “komandantë” (që janë pjesë e PAN-it) i kanë bërë milionat në kurriz të qytetarëve.
– Luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së fëmijët po u ikin jashtë Kosovës, ngase fëmijët e DISA “komandantëve” – si Hashim Thaçi, me paratë tona i kryejnë pushimet në Dubai.
– Luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së fëmijët u mbesin pa punë, ngase për punësim në Kosovë pyeten djemt e DISA “komandantëve” – si Adem Grabovci.
– Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së marrin pensione përbuzëse, ngase DISA “komandantë” për të fituar vota kanë dy-trefishuar numrin e veteranëve të regjistruar”, shkruan Krasniqi.
Sipas Krasniqit, këta komandantë janë fshehur prapa UÇK-së, ndërkohë që e keni braktisur çdo vlerë e ideal të luftës sonë çlirimtare.
“Askush nuk po ua mohon vitet e luftës por UÇK-ja ka qenë e popullit”.
“Megjithëse do të dëshironit që ashtu siç keni privatizuar gjithçka, ta privatizoni edhe UÇK-në, UÇK-ja nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë pronë e juaja private. Krenar me luftën e drejtë të UÇK-së që kurrë askush nuk do të mund ta përdhosë!”, shkruan ai. /Insajderi.com