Krasniqi: Nga 20 mijë viktima të dhunës seksuale, të lajmëruara janë rreth 3 mijë

Krasniqi: Nga 20 mijë viktima të dhunës seksuale, të lajmëruara janë rreth 3 mijë

“Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë hezitojnë të flasin për shkak të paragjykimeve në shoqëri”.

Kështu ka deklaruar Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila vetë është viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, sipas të cilës një numër i vogël i viktimave janë të lajmëruara, transmeton Insajderi.

“Flitet se numri i viktimave është rreth 20 mijë ose më tepër se 20 mijë. Në shoqata ka shumë pak raste të lajmëruara. Janë 2500 – 3000 të lajmëruar në shoqata. Ka viktima që më kontaktojnë mua dhe nuk kanë besim të lajmërohen në asnjë shoqatë”, është shprehur Krasniqi-Goodman, e cila tash është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Për shkak të paragjykimeve ajo ka treguar në Rubikon të Klan Kosovës se kishte vendosur që të largohej nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 vjet më parë.

“Nuk e shihja të arsyeshme që të rri këtu të ballafaqohem me paragjykimet. Vendosa të shkoja në Amerikë. Sikur të qëndroja në Kosovë nuk e dija se çfarë do të ndodhte. Kështu që e lëshova Kosovën më 2001. Paragjykimi është shumë më i madh. Viktimat ndryshe trajtohen jashtë ekranit nga secili. Ka viktima që trajtohen keq nga shumë njerëz, ka viktima që edhe divorcohen nga burri vetëm nëse duan të flasin”./Insajderi.com