Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin kanë biseduar për situatën aktuale në vend në përgjithësi.
Në një konferencë për media, Krasniqi tha se përveç kësaj u bisedua edhe për dialogun e po ashtu për propozimin franko-gjerman.
“Ne kemi diskutuar jo vetëm për këtë situatë aktuale, kemi biseduar edhe për procesin dialogut. Normalisht ka pasur diskutime edhe sa i përketë planit franko-gjerman por e kam thënë edhe shumë herë tjera në vend që të fokusohemi në një marrëveshje finale që do të sjellte Kosovën në OKB në po merremi me tema shumë teknike”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se ishte i interesuar që të dëgjonte planet e Qeverisë për të dalur nga kjo situatë.
“Patëm diskutim rreth asaj se si është situata, si ka ardhur deri këtu por unë isha më shumë i interesuar të dëgjoja për planet e ardhshme të Qeverisë për të menaxhuar këtë situatë. Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe që Qeveria e dinë në çfarë drejtimesh është duke shkuar dhe çfarë vendime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”.
I pari i PDK-së tha se tani Kosova ndodhet në një situatë të re e cila ka pasur mundësi që të shmangët.
“Qeveria duhet të i ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, coftë prej veprimeve tona në Kuvend apo çfarëdo mundësie tjetër që ne e kemi. E kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmangët, papjekuria në disa veprime dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët tonë kryesor kanë sjelle një momentum që ka mundur të shmangët”.
Kujtojmë se në takim me Kurtin kanë qenë edhe dy liderët tjerë opozitarë, por ai i AAK-së ka lëshuar takimin me pretekstin se Kurti mbante ligjërata.
Ndryshe, Kurti ftoi opozitarët për të diskutuar zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit.
Kjo pasi dy ditë më parë Lista Srbska ka bërë të ditur se sot kanë vendosur që të bojkotojnë të gjitha institucionet politike në Kosovë.
Pas kësaj eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.
Ky vendim është bërë i ditur në një konferencë për media nga kreu i “Srpskas” Goran Rakiq.
Ai tha se kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet – Kuvendi, Qeveria dhe 4 komunat, por edhe nga drejtësia, policia dhe administratat në Kosovë. /Insajderi.com