Krasniqi: Nuk besoj se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale

Krasniqi: Nuk besoj se do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, beson që nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale, njofton Shqip.com.

Krasniqi tha se në këtë takim kanë shprehur qëndrimin se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet por edhe se kanë kërkuar nga Qeveria që në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të ketë respektim rigoroz të masave anti-COVID’19.

Po ashtu, ai shtoi se kanë kërkuar nga Qeveria që t’i japë prioritet vaksinimit të trupave zgjedhor që marrinë pjesë në ditën e zgjedhjeve lokale.

“Andaj ne kemi shprehur që jemi të gatshëm që fushata të shkurtohet në pak ditë, të ketë respektim rigoroza të masave dhe rekomandim poashtu kërkova që Qeveria t’i jep prioritet vaksinimit të trupave zgjedhor që ata të jenë të mbrojtur gjatë kësaj dite. Ndërsa sa i përket vendimit unë besoj që nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve, por do të presim vendimin”, tha Krasniqi.

Ndryshe, krerët e partive politike në vend kanë zhvilluar një takim me presidenten, Vjosa Osmani, lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, për shkak të gjendjes së rënduar me pandeminë.

Ky takim është thirrur nga presidentja Osmani, teksa të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, i ka rekomanduar asaj që të shtyjë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Coronavirus.