Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mamli Krasniqi, ka sqaruar arsyen pse nuk është bërë pjesë e Qeverisë Haradinaj.
Ai ka thënë se qysh më herët ka konsideruar se ka nevojë të largohet nga punët e ekzekutivit dhe të fokusohet në punën e Kuvendit, duke shtuar se aty pritet të bëhet beteja e madhe.
“Dje është votuar Qeveria e re dhe këtë herë unë nuk do të jem pjesë e kabinetit qeveritar. Ka kohë që kam konsideruar se më duhet të bëj një shkëputje nga ekzekutivi, për t’u fokusuar në legjislativ gjatë këtij mandati, kur pritet që beteja kryesore politike të zhvillohet pikërisht në Kuvendin e Kosovës:, ka shtuar ndër tjera deputeti i PDK-së, Krasniqi.
Ai ka falënderuar të gjithë ata me të cilët ka punuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përgjatë kohës sa ka qenë ministër.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur miq,
Dje është votuar Qeveria e re dhe këtë herë unë nuk do të jem pjesë e kabinetit qeveritar. Ka kohë që kam konsideruar se më duhet të bëj një shkëputje nga ekzekutivi, për t’u fokusuar në legjislativ gjatë këtij mandati, kur pritet që beteja kryesore politike të zhvillohet pikërisht në Kuvendin e Kosovës.
Qeverisë së re dhe ministrave të rinj ju dëshiroj punë të mbarë dhe pres prej tyre që të fillojnë punën menjëherë, sepse kemi humbur mjaft kohë. Kam besim, veçanërisht në disa prej tyre, që do të arrijnë të ndryshojnë për të mirë gjendjen e rënduar në disa prej sektorëve të rëndësishëm.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata kolegë që për shumë vjet kemi bashkëpunuar dhe jemi munduar bashkë që t’i adresojmë sfidat e shumta, si në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time më të thellë për anëtarët e kabinetit tim, për këshilltarët e mi, pa të cilët nuk do të mund të shënoheshin sukseset e shumta në fushat për të cilat kemi pasur përgjegjësi ndër vite. Jam i sigurt se shumë prej tyre do të vazhdojnë t’i shërbejnë vendit me nder dhe me përkushtim, pavarëisht detyrave që do t’i kenë në të ardhmen. Falënderoj edhe secilin zyrtar të administratës që ka kryer obligimet e veta me zell dhe me përgjegjësi.
Ka shumë të arritura, pa dyshim, por jam i vetëdijshëm se ka ende shumë punë për t’u bërë. Dhe për të arritur progres edhe më të madh, na duhet angazhim maksimal, përkushtim dhe punë konkrete e secilit person që ka përgjegjësi institucionale. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim edhe si deputet, për të avancuar tutje të gjitha fushat që janë prirotete për qytetarët e vendit tonë.
Ju faleminderit!