Krasniqi paralajmëron ndërprerjen e shërbimeve të tjera shëndetësore në QKUK

Krasniqi paralajmëron ndërprerjen e shërbimeve të tjera shëndetësore në QKUK

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se shifrat rekorde me të infektuar të shënuara gjatë ditëve të fundit janë shifra shqetësuese, njofton Insajderi.

Madje ai thotë se nëse vazhdon ky trend i shtimit të të prekurve me Coronavirus do të detyrohen t’i ndërprejnë disa shërbime spitalore që ofrohen në QKUK.

Krasniqi thotë se si SHSKUK janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme në tejkalimin e çfarëdo situate epidemiologjike.

“Janë me të vërtetë shifra shqetësues edhe për neve si Shërbim Spitalor sepse ky numër i madh i të infektuarve na paralajmëron neve që mund të kemi numër të madh të pacientëve që do të kërkojnë spitalizim. Ne vetëm brenda këtyre ditëve kemi vërejtur shtim të numrit të pacientëve të shtrirë nëpër Klinika”, tha ai.

Krasniqi i cili po kryeson Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka paralajmëruar reduktim të ofrimit të shërbimeve tjera jo COVID nëse veç vazhdon rritja e numrit të personave të infektuar me pandeminë. Por ai thotë se deri në maksimum do të bëjnë përpjekje për të ofruar të gjitha shërbime spitalore për gjithë pacientët.

“Ne për momentin jemi duke vazhduar me ofrimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore për të gjithë pacientët që kanë nevojë ërfshirë edhe programin e operacioneve selektive dhe po ashtu edhe të shërbimeve në ambulancat specialistike…Në rast se vazhdon ky trend i rritjes së numrit të të infektuarve ne do jemi të detyruar të reduktojmë mbase disa shërbimet sërish. Do bëjmë përpjekje maksimale që sa më gjatë të jetë i mundur t’i mbajmë këto shërbime mos t’i reduktojmë por kjo do të varet nga situata e përgjithshme”, deklaroi ushtruesi i detyrës se drejtorit të SHSKUK-së.

Furnizimi i mjaftueshëm me oksigjeni i klinikave në QKUK dhe po ashtu spitalet e përgjithshme ka qenë sfidë për SHSKUK-në gjatë muajt korrik dhe gusht kur Kosova kishte shifra të larta të të prekurve me koronavirus.

Krasniqi thotë se aktualisht janë duke u përmbushur kërkesat, dhe se tani janë duke bërë ripërtëritjen e kontratave me operatorët për furnizim me oksigjen. /Insajderi.com