Krasniqi: Partitë në Kosovë nuk heqin dorë nga pozita e kryeministrit

Krasniqi: Partitë në Kosovë nuk heqin dorë nga pozita e kryeministrit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi ka treguar arsyen pse partitë opozitare nuk po mund të garojnë në zgjedhje si një opozitë e bashkuar, ashtu siç ishin bashkuar për shumë çështje, përfshirë Demarkacionin me Malin e Zi.

Jakup Krasniqi është shumë skeptik që Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosje do të mund të krijonin një koalicion parazgjedhor. Thotë se të dyja palët kanë arsyet e veta për një veprim të tillë.

Nuk ka një përpjekje serioze, ose së paku nuk e di që ka një përpjekje serioze për tu bërë bashkë”, tha ai për televizionin Rrokum.

“Unë mendoj se është e dyanshme. Nuk e shoh gatishmërinë në masën që do të duhej të ishte meqenëse ne edhe do të vazhdojmë të besojmë që partitë opozitare do të kenë mundësinë të qeverisin me vendin dhe tani duhet t’i presim thjeshtë zgjedhjet, fillimin e fushatës zgjedhore”, theksoi ai.

Thotë se arsye pse opozita nuk garon e bashkuar në zgjedhje është pozita e Kryeministrit.

“Është bërë si praktikë që pozita më lakmuese në fushatat zgjedhore të jetë pozita e kryeministrit dhe ndoshta është kjo një arsye tjetër që partitë politike. Mendoj se çështja kyçe është pozita e Kryeministrit ajo që i bën partitë të mos jenë shumë komunikuese, shumë bashkëpunuese, dhe kjo është pozita kryesore ndonëse në sipërfaqe mund të dalin çështje të dorës së dytë dhe të tretë por unë mendoj se problemi kryesor është që partitë opozitare dhe partitë politike në përgjithësi në Kosovë e kanë vështirë të heqin dorë nga pozita e Kryeministrit”, tha ai.

Deri në mesnatën e të martës, partitë politike kanë për obligim të deklarojnë në KQZ koalicionet garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, garojnë së bashku pasi një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar para më shumë se një viti.