Krasniqi pas fitores në Skenderaj: Ishte garë e imponuar

Krasniqi pas fitores në Skenderaj: Ishte garë e imponuar

Garë të imponuar dhe jo të dëshiruar e ka quajtur lideri i Partisë Demokratike të Kosovës atë në Komunën e Skenderajt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas tij, PDK-së i duhej fitorja në “bastionin” e saj në këtë kohë.

Krasniqi ka theksuar se “për PDK-në Skenderaj gjithmonë ka qenë e rëndësishme”, edhe pse në zgjedhjet e para katër viteve, kjo parti e kishte përkrahur kandidaturën e Bekim Jasharit për kryetar të kësaj komune.

“S’ka qenë garë që kemi dëshiruar, ka qenë një garë e imponuar. Nuk kemi mundur që ta shmangim, sepse Skenderaj për PDK-në ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Ndërlidhet me trashëgiminë dhe historinë tonë. Në katër vitet e kaluara e kemi mbështetur Jasharin edhe pse ka kandiduar si i pavarur”, është shprehur i pari i PDK-së në emisionin “Pressing” në T7.

Tutje, Krasniqi ka folur edhe për festimet në sheshin e Skenderajt, për të cilat ka thënë se aktivistët e PDK-së e kanë të drejtën të festojnë “pas një fitoreje si ajo e natës së 17 tetorit”.

“Shikoni këto janë interpretime qëllimkëqija. E kemi bërë të ditur që nga fillimi që nuk garojmë kundër askujt, por për të ardhmen tonë. Kemi qenë në garë për PDK-në sepse ka qenë e domosdoshme për PDK që të fitojë në bastionin e saj”.

“Shikoni, një aktivist i PDK-së i cili nuk është i kënaqur nga viti 2009 me rezultatin, ka pasur arsye të dalë të festojë i ekzaltuar.  Festa nuk duhet t’i pengojë askujt. Nuk është dashur t’i pengojë sepse nuk ishte e drejtuar ndaj askujt. Ishte festë për PDK-në”.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e 17 tetorit, kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt ka dalë fitues me 57.99% të votave. Ndërsa, Bekim Jashari – kandidat i pavarur, është listuar në vendin e dytë me 40.64% të votave./Insajderi.com