Krasniqi pas takimit me Ramën: Është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë

Krasniqi pas takimit me Ramën: Është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se vlerëson që është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, njofton Insajderi.com.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi i deklaroi këto pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, teksa shtoi se kanë diskutuar edhe për situatën në Veri të Kosovës.

Sipas tij, për situatën e krijuar në veri, Shqipëria duhet të luaj rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.

“Gjatë takimit biseduam për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s”, shkroi ndër tjerash ai.

Po ashtu, gjatë të hënës, Rama është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku ka deklaruar se pas vendosjes së bllokadave në veri të vendit, të gjithë janë dëshmitar të “manovrave teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”.

Tutje, ai i cilësoi “fantazma gjeneralësh”, ata që po pretendojnë se po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë me vendosjen e ushtrisë në Kufi me Kosovën.

Ndërkaq, kryeministri, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, tha se nuk ka informacione se KFOR-i do të ndërhyjë në Veriun e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai tha se sot ka pasur një takim me komandatin e KFOR-it së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare.

“Sot kam pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Svecla jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, sot janë bërë tetë ditë që kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, për të zbatuar reciprocitetin me target e veturave.

Një pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri

Për këtë, serbët që jetojnë në ato komuna, si shenjë revolte kanë bllokuar rrugët që çojnë në këto pika kufitare, duke mos lejuark ështu të kalojë asnjë veturë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të dielën se “do i japin Prishtinës kohë që t’i përmirësojnë gabimet ose do të marrin masa”.

Kurse, ministri i Brendshëm në Serbi, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se po pret urdhërin e Vuçiqit për ndërhyje ushtarake.

Po ashtu, gjatë dy ditëve të fundit janë parë aeroplanët ushtarak serbë duke patrulluar mbi kufirin Kosovë – Serbi.

Të shtunën është sulmuar Qendra e Regjistsimit të Automjeteve me granata dore, duke shkaktuar kështu përhapjen e zjarrit./Insajderi.com