Krasniqi: PDK-ja mbështet dialogun i cili nuk cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Krasniqi: PDK-ja mbështet dialogun i cili nuk cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se në takimin që ka zhvilluar këtë të martë me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është diskutuar edhe çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi është shprehur se subjekti i tij opozitar mbështet dialogun i cili “duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve”.

“PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij social “Facebook”.

Emisarët Lajçak dhe Escobar kanë përfunduar të martën takimin edhe me kryetarin e Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, ndërkaq janë duke zhvilluar takim edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj./Insajderi.com