
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës pas helmimit të qindra qytetarëve në komunën e Deçanit, shkruan Insajderi.
Krasniqi në Facebook, ka thënë se helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.
Ai më tej, ka shtuar se qeveria duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar.
“Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik”, ka deklaruar ai.
Me tej, ai ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt./Insajderi.com