Zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 14 janar mund të ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve me Coronavirus në Kosovë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, thotë se situata epidemiologjike nuk është e mirë dhe se ngjarjet që do të zhvillohen në Kosovë janë shqetësuese në këtë aspekt, njofton Insajderi.
“Ne po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike edhe në vendet në rajon dhe është më të vërtetë një situatë jo e mirë për të mos thënë një situatë e rënduar sa i përket rikthimit të rasteve, fatmirësisht ne si Kosovë kemi një numër relativisht të ulur do dëshironim që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masat në masë të madhe, por ngjarjet që i kemi përpara në vazhdim si Kosovë janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë në rritjen e rasteve sërish”, ka thënë Krasniqi për KP.
Krasniqi ka shtuar se ulja e numrit të të prekurve më Covid-19 i ka mundësuar QKUK-së që t’i kthejë shërbimet e tjera.
“Kemi një numër relativisht më të ulur në krahasim me javët e kaluara dhe kjo po na mundëson që të rikthejmë shërbimet tjera, ashtu siç kemi bërë me shërbimet e Ambulancat Specialistike dhe nga kjo javë ne kemi liruar edhe Klinikat Internistike, njësia COVID-3 që quhej dhe tani jemi në proces të pastrimit, dezinfektimit dhe përgatitjes që edhe ato klinika të rikthejnë shërbimet e tyre dhe të kthejnë shërbimet për pacientët jo Covid”, u shpreh ai. /Insajderi.com