Krasniqi: Sigurinë e Kosovës në kufirin me Serbinë e garanton KFOR-i, institucionet tona nuk kanë kompetencë në atë zonë

Krasniqi: Sigurinë e Kosovës në kufirin me Serbinë e garanton KFOR-i, institucionet tona nuk kanë kompetencë në atë zonë

Njohësi i çështjeve politike në vend, Milazim Krasniqi, ka komentuar në lidhje me ngjarjen e djeshme të ndodhur në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ku janë parë duke patrulluar xhandarmëria serbe, njofton Insajderi.

Futja e forcave serbe në territorin e Kosovës ngjalli reagime të shumta te fytyrat publike të skenës politike në vendin tonë, për çka Krasniqi thotë se janë reagime histerike.

Sipas Krasniqit, në atë zonë kompetenca është e KFOR-it dhe jo e institucioneve tona të sigurisë, e cila ka të bëjë me rezolutën 1244 dhe se sigurinë e Kosovës në kufirin me Serbinë e garanton vetëm KFOR-i.

“Reagimet histerike të eksponentëve partiakë për prezencën e policisë serbe në Karaqevë, tregojnë mjerimin e tyre. Puna është e qartë si pasuli: në atë zonë kompetenca është e KFOR-it, e jo e institucioneve tona të sigurisë. Këtë e pohoi edhe drejtori i policisë, Rashit Qalaj. Kjo kompetencë nuk ka të bëjë me dialogun në Bruksel, as me reciprocitetin e blla blla blla, po me marrëveshjen e Kumanovës dhe me rezolutën 1244”.

“Më duket e habitshme nëse ka politikanë që nuk e dinë këtë fakt. Ndërsa, nëse e dinë e shtiren se nuk e dinë, janë hipokritë. Bëjnë mirë të bëhen seriozë të gjithë dhe të sillen në pajtim me realitetin: sigurinë e Kosovës në kufirin me Serbinë e garanton KFOR-i. Ata që harrojnë fakte kaq domethënëse, që për vendin tonë janë ekzistenciale, nuk e kanë vendin në politikë. Thjesht paraqesin rrezik për lirinë tonë. ( E pse KFOR i lejon nganjëherë këto fiskultura, kjo ka të bëjë pikërisht me mesazhe të caktuara. Bile edhe dita është e zgjedhur.)”, ka shkruar ai në Facebook. /Insajderi.com/