Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se situata me Coronavirus në Kosovë është duke u rënduar, përcjell Insajderi.
Ai ka njoftuar se mbi 500 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi në spitalet e vendit.
Krasniqi po ashtu ka bërë të ditur se do t’i dërgojnë një shkresë qeverisë për t’i kërkuar zgjerim të kapaciteteve.
“…gjendja po rëndohet, kemi mbi 700 pacientë në ditë, 500 janë me oksigjeno-terapi. I kemi bërë qe një kohë të gjatë kapacitet tona dhe është vendosur që do të dërgojmë edhe një shkresë qeverisë që të shikojë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve. Zbatimi i masave duhet të bëhet patjetër”, ka thënë ai para mediave.
Tutje, Krasniqi është shprehur se edhe pse e ka kaluar Covidin do të marrë vaksinën kurdo që ajo vjen në Kosovë.
“Për të gjitha sëmundjet nga viruse mënyra më e mirë e përdorimit është vaksina. Nga aspekti profesional çdo ilaç mund të ketë efekt anësor. Unë e kam kryer Covidin dhe në momentin që nuk kam antitrupa do ta marr vaksinën”./Insajderi.com