Krasniqi: Situata me pandeminë është nën kontroll

Krasniqi: Situata me pandeminë është nën kontroll

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se gjendja me pandeminë COVID-19 është nën kontroll të plotë sa i përket menaxhimit klinik të rasteve, njofton Insajderi.

Krasniqi tha se më 8 shkurt të këtij viti në QKUK ka ardhur rasti i parë i dyshuar me Coronavirus, por që ka rezultuar negativ.

“Çdo herë e kemi pasur gjendjen nën kontroll dhe kemi ofruar shërbime shëndetësore. Aktualisht të shtruar i kemi 525 pacientë në pesë klinika në QKUK dhe në shtatë spitale rajonale, prej tyre 11 janë të intubuar dhe 30 janë me frymarrje të vështirësuar”, ka thënë Krasniqi në RTK.

Ai tha se java e fundit e nëntorit ka qenë më e ngarkuara.

“Gjatë kësaj kohe i kishim 1100 pacentë të shtrirë nëpër spitale”, ka thënë tutje UD i drejtorit.

Sipas Krasniqit, sistemi shëndetësor dhe stafi mjekësorë gjatë kësaj kohe ia ka dalë jashtëzakonisht mirë duke pas parasysh sistemin tonë, infrastrukturën, numrin e shtretërve dhe pajisjeve.

“Duhet të bëhen investime afatgjata që ta kemi një sistem të qëndrueshëm, pasi që profesionistët shëndetësorë s’mund të krijohen brenda një viti”, ka thënë Krasniqi./Insajderi.com