Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se shumë shpejtë spitalet e Kosovës nuk do të mund të përballojnë fluksin e pacientëve me COVID-19, njofton Insajderi.
Ai ka thënë se numri i pacientëve të shtruar në spitale është afër 800.
“Ashtu siç jeni të informuar tash e disa javë ShSKUK-ja është duke u ngarkuar me numër të madh, numri i është afruar numrit 800 gjatë ditës në nivel vendi. Nëse bëjmë një analizë, në më pak se një javë kemi një rritje prej 66%, kemi 280 pacientë më tepër se në fillim të marsit. Kjo është shqetësuese se nëse rritet mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet, i bëjmë thirrje edhe komitetit dhe Qeverisë që të na shtojë kapacitetet”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, në spitalet e përgjithshme rajonale dhe në klinikat COVID të QKUK-së janë duke u trajtuar 798 pacientë të prekur me coronavirus.
Krasniqi ka thënë në mbledhjen e Komitetit anti-COVID se nëse vazhdon rritja e numrit të të hospitalizuarve, do të tejkalohen të gjitha kapacitetet dhe nuk do të ketë më shtretër për pacientë të ri./Insajderi.com