Krasniqi: Synojmë funksionalizimin e shërbimit për fekondim artificial gjatë këtij viti

Krasniqi: Synojmë funksionalizimin e shërbimit për fekondim artificial gjatë këtij viti

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, thotë se ShSKUK synon që brenda këtij viti të funksionalizojë shërbimin për fekondim artificial, transmeton Insajderi.

Ai deklaron se për ofrimin e këtij shërbimi tashmë kanë filluar punimet për adaptimin e këtyre hapësirave.

Krasniqi ka folur edhe për planet e tij në krye të ShSKUK-së, ku ka thënë se synim është ngritja e disiplinës, transparenca e llogaridhënia.

“Një nga pikat e mia të udhëheqjes në këtë mandat është ngritja e disiplinës në punë transparenca dhe llogaridhënia. Pra të gjithë të punësuarit në njësinë përbërëse të SHSKUK-së duhet të respektojnë orarin e punës, të ngrisin llogaridhënien dhe transparencën në raport me qytetarët por edhe me mediet. Poashtu kemi filluar punimet për adaptimin e hapësirave për futjen e shërbimit për fekondim artificial dhe brenda këtij viti kemi planin që ta funksionalizojmë këtë shërbim në kuadër të QKUK-së. Është diçka që bëhet në baza të rregullta ditore dhe baza individuale”, ka thënë i pari i ShSKUK-së.

Krasniqi ka folur edhe për largimin e ish-drejtoreshës së Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, që sipas tij, ajo në letrën e saj ka përmendur arsyet e saj personale të largimit, duke shtuar se është në kërkim të zëvendësuesit të ri.

“Në letrën që na ka ofruar ka përmendur arsyet personale të dorëheqjes dhe unë jam në kërkim të zëvendësuesit të ri që do ta drejtoj klinikën infektive. Ende nuk kam marrë vendim se a është drejtoreshë në dorëheqje”, shtoi ai. /Insajderi.com