Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të një sondazhi të publikuar në RTV Dukagjini nga Kolegji Riinvest, sipas të cilit në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje do të dalë parti fituese me mbi 50% të votave, njofton Insajderi.
Krasniqi është shprehur se “Televizioni i oligarkut të të gjitha sistemeve, Ekrem Lluka, qe disa kohë është bërë de facto organ i Lëvizjes Vetëvendosje”.
Sipas tij, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk tregon respekt për parimet themelore të demokracisë dhe se po e përdorë këtë kanal për të promovuar lajme të tilla.
Tutje, Krasniqi shtoi se “PDK-ja do t’i zhveshë dhe do t’i zbulojë para opinionit publik motivet e vërteta të rreshtimit provokues të Ekrem Llukës me taktikat dhe qëllimet e Albin Kurtit”.
“Vlerësim për opinionistët që edhe në këtë strofull të Vetëvendosjes e ruajnë profesionalizmin dhe paanshmërinë e tyre.
Le të tregojmë respekt për qytetarët tanë, për institucionet tona dhe për vendin tonë, duke respektuar të gjithë procesin zgjedhor dhe rregullat themelore të angazhimit politik demokratik, informimin e lirë dhe të paanshëm”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook./Insajderi.com