Krasniqi: UÇK-ja s’ka arkiva, po shkaktohen konfuzione

Krasniqi: UÇK-ja s’ka arkiva, po shkaktohen konfuzione

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi të enjten se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka arkiva, dhe sipas tij, kushdo që thotë ndryshe, po i bën favor Serbisë.

Sipas tij, deklaratat për hapjen e arkivave janë të pavërteta dhe po shkaktojnë vetëm konfuzione.

“Qëndrimi ynë sa i përket arkivave është publik. Unë edhe sot me zotin Lajçak e kam ngritur këtë çështje. Ne besojmë që fokusi të jetë te çështjet e mëdha dhe nuk duhet që askush të tentojë me çështje më sporadike të ik nga përgjegjësit që i kanë”, tha Krasniqi pas takimit me emisarin për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak.

“UÇK-ja nuk ka pasur arkiva dhe ky është një fakt i ditur botërisht. Kushdo tjetër në një formë apo tjetër me qëllim apo qëllim thotë diçka të pavërtetë dhe shkakton konfuzione dhe që mund të jenë në favor të konspiracioneve dhe imagjinatës”.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kreun e PDK-së, ka nisur takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku./Insajderi.com