Ish-zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e 19-vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, ka thënë se rezistenca e 5,6 dhe 7 marsit ka qenë dhe ka mbetur lufta më e madhe që ka zhvilluar UÇK-ja me forcat policore e ushtarake serbe.
Ai ka vlerësuar se deri më tani janë realizuar idealet kryesore, liria dhe çlirimi i vendit, por sipas Krasniqit, ideali për ndërtimin e shtetit të së drejtës vazhdon.
Ai është shprehur i pakënaqur me trajtimin e kategorive të luftës nga shteti pasi, sipas tij, nuk ka qenë prioritet mbrojtja e vlerave të luftës, por përdorimi i tyre për interesa personale, shkruan ‘Epoka e re’.
Në këtë aspekt, Krasniqi ka thënë se është e dhimbshme që gati dy dekada pas luftës, ish-pjesëtarët e UÇK-së ende ballafaqohen me procese gjyqësore.