Krerët e shtetit i shkruajnë UNESCO-s për katër kërkesa

Krerët e shtetit i shkruajnë UNESCO-s për katër kërkesa

Krerët shtetërorë të Kosovës, me katër kërkesa i janë drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), gjatë së premtes së 21 majit, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti ka publikuar letrën e nënshkruar nga ai, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca përmes së cilës i janë drejtuar UNESCO-s me katër kërkesa për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe qasjen e UNESCO-s ndaj shtetit të Kosovës.

Të tre liderët kanë kërkuar që monumentet e listuara në kategorinë “në rrezik” të hiqen nga ajo listë.

Në njoftim u bë e ditur se krerët kanë arsyetuar këtë kërkesë duke thënë se “rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara”. Bëhet fjalë për Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës dhe Kishën e Shën Premtes në Prizren.

Këtu në letër kanë theksuar se “është vlerësim i pavarur dhe profesional i institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara”.

“Ka të paktën një dekadë që nuk është raportuar asnjë incident serioz në kishat ortodokse. Institucionet tona të sigurisë në bashkëpunim me trupat ushtarake të KFOR-it për vite me radhë kanë ofruar mbrojtje dhe siguri për kishat ortodokse në Kosovë. Viteve të fundit kjo përgjegjësi i është bartur Policisë së Kosovës, e cila posedon njësi të veçantë që kujdeset për këto monumente”, thuhet në letër, në të cilën liderët zotohen për përkushtim të shtetit për mbrojtjen e monumenteve.

Në kërkesën e dytë, UNESCO është ftuar që të rishikojë terminologjinë e vjetruar, pasi në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s përmendet edhe më tutje “Provinca Autonome e Kosovës” dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”.

Te kjo pikë kanë theksuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe konfirmimin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Kërkesa e tretë ka qenë që të ndryshohet pala shtetërore përgjegjëse për katër monumentet, duke e larguar Serbinë e duke e vendosur në këtë përgjegjësi Kosovën.

“Ndonëse në Listën e Trashëgimisë Botërore palë shtetërore për katër monumentet në fjalë është Serbia, ajo nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to, dhe rrjedhimisht nuk mund të përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s. Zyrtarët e UNESCO-s i kemi siguruar që sikurse deri tani, edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Kurtit.

“Shteti i Serbisë vazhdon të mbajë padrejtësisht koleksionin e grabitur arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës, në kundërshtim të plotë me Konventën e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970)”, thuhet në letër që vazhdon me deklarimin se në luftën e Kosovës forcat serbe dëmtuan dhe shkatërruan me mijëra asete të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Derisa në pikën e katërt, të tre liderët, kanë thënë se kanë garantuar që Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO.

“Ne besojmë që pamundësia për t’u anëtarësuar në vitin 2015 në mungesë të një numri shumë të vogël votash nuk duhet të shndërrohet në penalizim afatgjatë për Kosovën”, thuhet në postimin e Kurtit. “Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit përmes pasurisë sonë kulturore dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore, dhe si të tillë në potencialin përbashkues të saj”. /Insajderi.com