Njohësi i çështjeve politike në vend, Fitim Salihu, ka thënë se krerët shtetëror aktualë duhet të veprojnë për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve u rëndojnë akuzat për krime gjatë kohës së luftës dhe pas saj, ashtu sikurse ka vepruar ish-presidenti Ibrahim Rugova, me garantimin e lirimit me kusht ndaj kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë kohës kur ky i fundit po gjykohej për krime lufte në Hagë, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Salihu ka thënë se udhëheqësit shtetërorë nuk thanë ende asnjë fjalë për Thaçin dhe të tjerët që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara.
“Ibrahim Rugova ka garantuar për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Nexhat Daci ka garantuar për lirimin me kusht të Fatmir Limajt. Burrështetasi dallohet prej politikanit të zakonshëm e të mllefosur nga aftësia për të dalë mbi inatet ditore në momente kur preket historia kapilare e kombit”, thuhet në postimin e tij.
“Krerët aktualë të shtetit asnjë fjalë nuk e thanë për krerët e UÇK-së që sot po gjykohen. Po gjykohen për luftën e tyre për lirinë e Kosovës. Asnjë garancë nga institucionet tona për lirimin e tyre me kusht. Gjykata Speciale tha se ju nuk keni shtet që garanton për lirimin e tyre me kusht. Në Prishtinë, si përgjigje, shteti heshti. Heshtja është aprovim. Smira e mllefi mbipeshuan historinë, lirinë”, shton tutje Salihu.
Ndryshe, sot Dhomat e Specializuara kanë njoftuar për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK’së për mbrojtje në liri.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com