“Kreshnik Gashi shkeli ligjin, s’është viktimë e shkarkimeve politike”

“Kreshnik Gashi shkeli ligjin, s’është viktimë e shkarkimeve politike”

Avokati kosovar, Besnik Berisha, e ka quajtur të vonuar veprimin e Kryeministrit Avdullah Hoti për shkarkimin e Kreshnik Gashit nga pozita e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

Sipas tij, drejtori i deritashëm i AKI-së, ka shkelur ligjin, nuk është viktimë e shkarkimit politik.

“Është veprim i ligjshëm, pak i vonuar sepse kryeministri apo kushdo që e ka miratuar do të duhej të vepronte qysh ditën e parë për shkak se ka pasë qasje të pa autorizuar në kasafortën në Presidencë”, është shprehur Berisha në emisionin ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.

“Arsyeja kryekëput është mungesa e veprimeve të ligjshme në funksionin e tij si drejtor. Janë veprime të paligjshme që cenojnë besimin e këtij institucioni. Akoma më tepër shqetësues është lajmi për një bastisje. Gashi nuk është viktimë e shkarkimit politik, apo linçimi ose jopreference që kanë urdhëruar lirimin e tij nga detyra”, ka thënë tutje ai.

“Bëhet fjalë për dështimin për të menaxhuar me agjencinë që është institucion vital dhe i respektuar, ose do të duhej të ishte më i respektuar se Policia e Kosovës. Nga përvoja ime, shefat e AKI-së janë parë si individë që duhet t’i shërbenin sigurisë së përgjithshme jo partive që i kanë emëruar”.

“Shkarkimi nga detyra nuk lidhet me mënyrën si është emëruar por veprimet e tij dhe vartëse të tij”, ka thënë ai duke shtuar se gabimi më i vogël në këtë agjenci është i pafalshëm. /Insajderi.com