Ekspozita ku me fotografi dokumenton krimet e luftës së fundit në Kosovë, të fotoreporterit Alban Bujari, është hapur sot në Ministrinë e Drejtësisë, njofton Insajderi.
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se kjo ekspozitë tregon krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.
Sipas tij, vuajtjet e viktimave janë obligim për institucionet që drejtësia të vihet në vend.
“Kjo ekspozitë tregon mizorin serbe. Kjo na shërben që të rikujtojmë të vërtetën e Kosovës. Të kalosh dekada të tëra sjell trauma”, ka thënë Selimi, raporton EO.
“Populli ynë gjen forcën të vazhdoj tutje. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë të vendosim drejtësi në vend”.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, tha se këto fotografi dëshmojnë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë,
“Në momente si këto i rikthejmë edhe një herë përjetimet e luftës dhe brengen për atë që gjithmonë duhet të bëjmë më shumë që ta themi sa më fuqishëm të vërtetën se Serbia ushtrojë gjenocid në Kosovë”.
Ndërsa, fotoreporteri Alban Bujari tha se këto fotografi janë nga masakra të ndryshme në gjithë vendin.
“E falënderoj ministrin Selimin për përkrahjen e kësaj ekspozite. Këto janë fotografi të masakrave të ndryshme në Kosovë”, u shpreh ai. /Insajderi.com