Drejtorët e policive kriminale të rajonit dhe vendeve të Evropës Juglindore janë mbledhur në Tiranë për sfidat e sigurisë. Ky takim realizohet në kuadër të PCC SEE, “Sfidat e Sigurisë lidhur me Rritjen e Fluksit Migrator, Krimet e Rënda dhe atë të Organizuar dhe Kontribut për veprimet e IISG”, ku Shqipëria ka kryesinë e radhës, shkruan sot Koha Ditore.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij të hapjes tha se sot rajoni dhe Evropa përballen me sfida te ndryshme të sigurisë.
Por, sipas Xhafajt, krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme.
“Karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre bën domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta. Evropa po përballet me flukse migratore nga vende të Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Kjo ka pasur një impakt të drejtpërdrejtë, si në nivelin politik, ashtu dhe atë praktik”, ka thënë ai.