Kritikoi Zemajn e Hazirin për mungesë të oksigjenit – Mbyllet faqja “Spitali i Gjilanit” në Facebook

Kritikoi Zemajn e Hazirin për mungesë të oksigjenit – Mbyllet faqja “Spitali i Gjilanit” në Facebook

Faqja zyrtare e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit në Facebook, është mbyllur pas kritikave të cilat janë drejtuar nga kjo faqe drejt ministri të shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, njofton Insajderi.

Në këtë faqe, Spitali i Gjilanit mbrëmë ka shkruar për mungesën e oksigjenit për pacientët me COVID-19.

Në shkrim u tha se pacientët po kërkojnë ndihmë në QKUK në Prishtinë, duke kritikuar ministrin Zemaj dhe kryetarin Haziri se nuk po bëjnë asgjë për ta përmirësuar këtë situate.

“Në mungesë të oksigjenit ka pacientë që detyrohen të kërkojnë ndihmë në Prishtinë. Nysret Hajrullahu thotë se ka vështirësi në furnizim me oksigjen. Armend Zemaj vetëm sa për selfije dhe konsum ditor po premton zgjidhjen e këtij problemi. Lutfi Haziri ka ra në gjumë dimëror”, thuhej në postimin e Spitalit të Gjilanit në Facebook.

Pas këtij postimi, kjo faqe është deaktivizuar dhe nuk gjendet më në Facebook.

Gazeta Online Insajderi ka provuar të flasë me zyrtarë në Komunën e Gjilanit, por telefonat e tyre kanë qenë të paqasshëm. /Insajderi.com